Lady Gaga ka folur hapur për luftën e saj me shëndetin mendor, duke zbuluar se pesë vjet më parë përjetoi një psikozë që e shkëputi nga realiteti.
Në një intervistë për “The New York Times”, ajo tha: “Më largoi shumë nga jeta, por pas viteve të punës së palodhur, e riktheva veten”.
Ajo shpjegoi se krijimi i personazhit të Lady Gaga-s ndikoi në përjetimet e saj dhe se më në fund ka mësuar të balancojë identitetin e saj si artiste dhe si person, shkruan DailyMail.
“Më pëlqente kaosi, por tani jam krenare që jam më e qetë”, tha ajo.
Këngëtarja 38-vjeçare foli edhe për mungesën e sigurisë në industrinë muzikore, sidomos për gratë e reja, duke theksuar se artistët e rinj shpesh nuk kanë mbrojtje.
Ajo pranoi se partneri i saj, Michael Polansky, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën e saj për të kapërcyer momentet e vështira.
“Ai më tha se mund të isha më e lumtur se sa jam, dhe kjo ishte e vështirë për t’u pranuar”, kujton ajo.
Gaga gjithashtu ndau dëshirën për t’u bërë nënë, duke thënë se dikur kishte frikë nga kjo ide, por tani është e emocionuar për të ardhmen.
“Gjëja më e rëndësishme për mua është t’u jap fëmijëve të mi hapësirë për të zbuluar veten”, përfundoi ajo. /Telegrafi/