Lady Gaga ka marrë disa komente negative rreth trupit të saj pas performancës në “Super Bowl”.
Ajo nuk ka qëndruar pa reaguar ndaj atyre që e kritikuan duke postuar një fotografi rrjetet sociale nga paraqitja e saj në skenë. Këngëtarja është kujdesur që të mbrojë gjithë femrat në postimin e saj dhe jo vetëm ta mbrojë veten.
“Dëgjova se trupi im është bërë temë bisede, prandaj desha të them se jam krenare me trupin tim dhe ju duhet të jeni krenarë me tuajin”.
“Pavarësisht kush jeni apo çfarë bëni. Mund t’ju jap miliona arsye se pse nuk duhet t’i nënshtroheni askujt apo asgjëje për të pasur sukses”.
“Jini vetvetja dhe jini vetëm vetvetja. Kjo është ajo që bëjnë kampionët. Faleminderit shumë të gjithë atyre që më mbështetën. Ju dua”, ka shkruar Lady Gaga.
Gaga ishte ylli i mbrëmjes në Super Bowl, gjatë performancës në pauzën e ndeshjes finale në edicionin 51-të të NFL-së. Fillimisht, ajo u hodh nga kulmi i stadiumit në Houston, kurse pastaj këndoi disa hite të saj, si “Poker Face”, “Just Dance” e “Telephone”.
Nga shumë personalitete që e kanë uruar këngëtaren për paraqitjen e saj, ishte edhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, njëherësh kandidatja demokrate për presidente të SHBA-ve, Hillary Clinton. /Telegrafi/