Telegrafi

Labinot Tahiri i bashkohet Grupit parlamentar të AAK-së

Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pritet që së shpejti t’i shtohet edhe një deputet.

Fjala është për Labinot Tahirin që ka konfirmuar se do të bëhet pjesë e Grupit parlamentar të AAK-së.

Tahiri në një prononcim për Telegrafin, ka bërë të ditur se këtë vendim e ka marrë në konsultë me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin.

“Po, në konsultë me presidetnin e AKR-së, Behgjet Pacollin kam kaluar në Grupin parlamentar të AAK-së. Pasi po bëhet një kohë që është formuar qeveria, ne kemi mbetur dy deputetë, dhe kemi tentuar ta krijojmë një Grup parlamentar, por nuk ia kemi arritur”, ka thënë Tahiri.

Ai ka lënë të hapur mundësinë që grupit të AAK-së t’i bashkohet edhe deputeti tjetër i Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli.

“Besoj që do të vijë edhe Islam Pacolli, po për vete mund ta konfirmoj që kam kaluar në Grupin e AAK-së”, deklaroi Labinot Tahiri.

Deri më tani dy deputetët e AKR-së, Labinot Tahiri dhe Islam Pacolli, kishin funksionuar pa grup parlamentar.

Grupit të AAK-së ditë më parë iu ishte bashkuar edhe deputetje, Emilia Rexhepi. /Telegrafi/