Telegrafi

La Liga: Titulli vendoset në javën e fundit

Pas vetëm 20 minutash erdhi momenti kyç i ndeshjes kur mbrojtësi Amorebieta ndaloi me dorë një goditje të Gonzalo Higuan dhe arbitri përjashtoi lojtarin me karton të kuq dhe akordoi penalti për Realin. Cristiano Ronaldo nuk huqi për të çuar vendasit në avantazh.

Duke pasur epërsi numerike në fushë, Reali vazhdoi të dominojë në posedim, por mysafirët bënë befasinë duke barazuar pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Numri 10 i Atletic Bilbaos, Yepes, u lejua të vrapojë nëpër fushë duke kaluar Ramos, Gago dhe Xabi dhe për të dërguar topin nëpër këmbët e Albiol dhe Arbeloa në portën e Casillas.

Me të filluar pjesa e dytë dhe me inkuadrimin e Kaka, Reali vazhdoi të kërkojë më me ngulm golin e avantazhit, i cili erdhi në minutën e 72-të të ndeshjes. Pas një harkimi të topit nga Xabi Alonso, portieri arriti të mbrojë një goditje të Benzema, por jo edhe një tjetër të Higuain.

Dhjetë minutat e fundit të ndeshjes sollën edhe tre gola për Realin, së pari një gol nga një goditje e fuqishme Sergio Ramos, që shpejt u pasua nga një tjetër i shënuar nga Karim Benzema. Marcelo vulosi rezultatin një minutë para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes.

Me fitoren e sotme Reali do të vazhdojë presionin në Barcelonën, që po sonte ka shënuar fitore të rëndësishme në fushë të Sevillas, për të mbajtur epërsinë prej një pike në maje të tabelës.

Në javën e fundit të kampionatit spanjoll, që zhvillohet të dielën e ardhshme, Reali do të udhëtojë në fushë të Malagas, ndërsa Barcelona pret në Nou Camp, Real Valadolidin. /Telegrafi/