Konkurrenti “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, teksa vendi i dytë i ka takuar Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”
Çmimi kryesor i edicionit të parë dhe historik të Festivalit të Këngës në RTK i takoi konkurrentit La Fazani me këngën “Oj Kosovë”. Trofeu i këtij edicioni atij iu nda nga kryeministri i Republikës, Albin Kurti.
“Kaq shumë energji dhe bukuri për më shumë se dy orë në skenën e cila është më e madhja në Kosovë. Përjetim i paharrueshëm por edhe përvojë shumë e veçantë besoj për secilin nga ne që ishim këtu”, tha Kurti pak çaste para ndarjes së çmimit kryesor.
Çmimi i dytë – Angus Dei
Ndërkaq, çmimi i dytë iu dha konkurrentes Angus Dei, së cilës ia ndau drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
“Ky është një çmim – kthim borxhi për të gjithë ata artistë që kanë marrë çmime nga Radio Televizioni i Shqipërisë”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Sponsori i Festivalit të Këngës, “Flori Diamonds” e bëri të mundur ndarjen e medaljonit të famshëm me shqiponjën dy krenare me 500 diamante, 324 të bardhë dhe 124 të zinj për fituesin e këtij edicioni, La Fazani.
Çmimi i tretë – Albin Nikprelaj
Albin Nikprelaj me këngën “Ajo” ka marrë çmimin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK në edicionin e tij të parë. Çmimi iu nda nga tre prezantueset e tre netëve të festivalit, Edona Kasapolli, Anjeza Shahini dhe Edona Reshitaj.
Çmimi i Kryeqytetit – La Fazani
Çmimi i Kryeqytetit në Festivalin e Këngës i ka takuar konkurrentit “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë”. Çmimi artistit iu nda nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Mrekulli me qenë këtu në Sallën e Pallatit të Rinisë, e cila ka pësuar nga një zjarr i madh, e nga ai ka dalë një feniks i madh që e keni bërë ju bashkë me stafin e Pallatit të Rinisë dhe Komunës së Prishtinës. Dhe në kë festival kemi artistë të mrekullueshëm si La Fazani”, ka thënë Rama teksa ka ndarë çmimin.
“Ky çmim jepet sepse Prishtina është bërë me festival dhe drejtori i ‘Eurosong’-ut tha se një qytet është më i bukur kur bëhet me festival”, ka thënë Adi Krasta.
Çmimi i Orkestrës – Saranda Alija
Saranda Alija me këngën “Mendoj ku je” është fituese e çmimit të Orkestrës. Ky çmim asaj iu dorëzua nga këngëtarja e njohur Shpresa Gashi. Pas pak ndahet çmimi i parë, çmimi i dytë, çmimi i tretë dhe çmimi i kryeqytetit.
Nis ceremonia e ndarjes së çmimeve, për herë të parë Orkestra voton
Ka nisur ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të parë në mbrëmjen finale të Festivalit të Këngës në RTK.
Për here të parë në historinë e festivaleve, organizatorët kanë vendosur që ta bëjnë pjesë të votimit edhe Orkestrën profesionale, e cila i ka shoqëruar këngët garuese dhe ato mysafire për tre netë me radhë.
Ajo që do ta ndajë çmimin e Orkestrës është këngëtarja e njohur, Shpresa Gashi. /RTK/