Telegrafi

Kylian Mbappe fillon stërvitjet me Real Madridin – po punon sipas planit të Antonio Pintus

Imazhi më i pritur nga të gjithë tifozët e Real Madridit është tashmë realitet, me Kylian Mbappen i  veshur me fanellat e stërvitjeve, ku iu bashkua ekipit në seancën e parë stërvitore si lojtar i Los Blancos.

Galaktiku i ri i Florentino Perez filloi sot parasezonin së bashku me pjesën tjetër të lojtarëve që ishin në pushime si: Aurelien Tchouameni, Edouardo Camavinga, Ferlan Mendy, Fede Valverde, Jude Bellingham dhe Dani Carvajal.  David Alaba gjithashtu është rikthyer në punë për të vazhduar procesin e rikuperimit.

Pritshmëria këtë të mërkurë ishte maksimale në rrethinat e Valdebebas, qendrës stërvitore të Real Madridit. Tifozë të shumtë të Real Madridit janë mbledhur që herët pasdite në përpjekje për të marrë një fotografi ose një autograf nga ylli i i ri.

Kylian Mbappe dhe pjesa tjetër janë stërvitur brenda ambienteve të klubit nën urdhrat e Antonio Pintus pasi kanë kaluar kontrollet mjekësore.

Pjesa tjetër e skuadrës së Carlo Ancelottit e kishte pasditen e lirë pasi zbarkuan sot në klub nga turi i ndeshjeve miqësore të Shteteve të Bashkuara.

Klubi ka publikuar në faqen e tyre disa imazhe të futbollistëve duke u stërvitur në palestër, duke i dhënë rëndësi të madhe pasi ishte Mbappe për herë të parë.

Në foto francezi shihet duke buzëqeshur dhe duke përshëndetur bashkëlojtarët e rinj në prani të Carlo Ancelottit, i cili është shfaqur në Valdebebas për t’i uruar mirëseardhje francezit.

Objektivi i Real Madridit dhe lojtarëve të sapoardhur është që të jenë në kushte sa më të mira për Superkupën e Evropës ndaj Atalantës më 14 gusht në Varshavë.

Të shtatë lojtarët kanë ndjekur një program të hartuar nga Pintus për 15 ditë për të qenë në formë të mirë.

Ancelotti tashmë komentoi se, në varësi të gjendjes së tyre fizike, si Mbappé ashtu edhe pjesa tjetër e të kthyerve kanë një shans të mirë për të qenë titullarë brenda një jave kundër Atalantës. /Telegrafi/