Kyle Walker më në fund ka shpjeguar pse refuzoi t’i shtrëngonte dorën njërit ndihmës të Mikel Artetas te Arsenali pas humbjes 1-0 të Manchester City në Emirates.
Manchester City u mund nga një gol i vonshëm i Gabriel Martinellit në Londër dhe temperamenti u ndez pas vërshëllimës së fundit.
Kapiteni i Cityt, Walker ka pas një shkëmbim fjalësh të zemëruar me Nicolas Jover, me pamjet që qarkullojnë gjerësisht në mediat sociale me kënde të shumta.
Të dy ekipet po ktheheshin në zhveshtore pas përfundimit të ndeshjes kur u nxeh situata dhe shumë shpejt lojtarë si Erling Haaland u përfshinë.
Pep Guardiola refuzoi të komentonte mbi këtë çështje, megjithëse pranoi se e dinte se çfarë kishte ndodhur, por shpejt doli se Walker kishte refuzuar një shtrëngim duarsh nga Jover.
Megjithatë, më pas u raportua se mbrojtësi anglez e kishte bërë këtë sepse Jover, i cili gjithashtu punoi për Cityn nën drejtimin e Guardiolës, bëri të njëjtën gjë sezonin e kaluar dhe mbajti duart pas shpine pasi Arsenali pësoi humbje në të dyja ndeshjet e ligës.
Walker kishte mbetur gojëmbyllur, por tani është hapur për grindjen dhe thotë se ka të ngjarë të kontaktojë Joverin pasi “ndoshta ishte paksa shumë” i ekzagjeruar veprimi.
“Nuk më pëlqen të humbas. Disa ndeshje më parë, Nico, i cili ka punuar për Man City, nuk donte të shtrëngonte duart kur i mundëm më parë”, ka thënë fillimisht Walker për Metro.
“Kur humbëm ai donte të më shtrëngonte dorën dhe nuk e mora lehtë, është e thjeshtë. Unë kam qenë i përqendruar te Anglia, por me siguri do të kontaktoj me të, patjetër. Do të them, ndoshta ishte paksa e tepërt”.
City pësoi dy humbje radhazi në ligë për herë të parë në vitin 2018 dhe Walker beson se reagimi i tij përmbledh mentalitetin fitues që ai ka zhvilluar në Etihad Stadium.
“Kjo tregon standardet që kam arritur dhe atë që kam mësuar ndër vite, është një ndeshje e madhe atje dhe humbja në mënyrën se si bëmë dhe kaq vonë dhemb”, përfundoi anglezi.
Walker u pushua për fitoren 1-0 të Anglisë ndaj Australisë në miqësore, por pritet të kthehet në ndeshjen e sotme kualifikuese për Euro 2024 kundër Italisë. /Telegrafi/