Një Mercedes-Benz i ndryshkur që ka mbetur në copa në një garazh për më shumë se 30 vjet është shitur për pothuajse 40 mijë funte (48 mijë euro) në një ankand në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, modeli 190 SL i vitit 1961 është një nga vetëm 562 shembujt e prodhuar nga marka legjendare gjermane për tregun e Mbretërisë së Bashkuar, por ka rënë në gjendje të keqe pasi është mbajtur në depo për më shumë se tre dekada.
Makina madje nuk ka as motor dhe restaurimi nga shitësi nuk përfundoi asnjëherë.
Derisa makina aktualisht është vetëm një guaskë e ndryshkur – madje i mungon boshti mbrapa – mund të ketë shpresë për pronarin e ri. Kjo për shkak se, i rindërtuar dhe i rinovuar plotësisht, mund të vlejë deri në 200 mijë funte, sipas ekspertëve. /Telegrafi/