Prokuroria e Prishtinës pretendon se ka zbardhur motivet që çuan në vrasjen e rojtarit të qendrës tregtare “Albi Mall”, Nazmi Ramadanit, në mars të vitit të kaluar.
Për ngjarjen e cila tronditi opinionin publik prokuroria tashmë ka ngritur një aktakuzë në të cilën në detaje përshkruhen veprimet e katër të akuzuarave: Shpëtim Canolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku dhe Ajduan Rexhepi.
Prokuroria pretendon se Canolli, Sadiku e Beka ishin marrë vesh që natën kur ndodhi vrasja të kryenin një grabitje në arkën ku ruheshin paratë e kafenesë “Don Cafe”.
Informatat se ku ruheshin paratë grupit i ishin dhënë nga Shpëtim Canolli. I njëjti sipas aktakuzës kishte siguruar detaje për mundësitë se nga mund të hyhej në katin e tretë të qendrës tregtare pa u vërejtur.
Akti i prokurorisë shpjegon edhe mënyrën se si grupi kishte ngritur një karrem për të testuar se askush nuk ishte në qendër. Për ta marrë këtë informacion Shpëtimi e kishte lënë kuletën e tij me qëllim në vendin e tij të punës e më pas e kishte thirrur menaxherin e objektit që t’ia sillte.
Kështu, sipas Prokurorisë, grupi ishte siguruar që askush nuk ndodhej në objekt. Ky veprim u kishte hapur rrugën dy të akuzuarve, Leutrimit dhe Liridonit, që të futeshin në qendrën tregtare.
Në momentin kur grupi kishte arritur në katin e tretë dhe e kishin zbuluar arkën roja tani i ndjerë i kishte vërejtur dhe kishte filluar një përleshje me ta. Në konfrontim e sipër, sipas Prokurorisë, i pandehuri Leutrim kishte shtënë katër herë në të ndjerin.
Pjesë e aktakuzës përpos tre të rinjve është edhe Ajduan Rexhepi, i cili natën e vrasjes, sipas Prokurorisë, e kishte detyrën e vozitësit.
Në paraqitjen e tyre të parë para gjykatës katër të akuzuarit kanë mohuar të kenë kryer veprimet të cilat u ngarkohen.
I apostrofuari si dorasi i vrasjes Leutrim Sadiku, i ka pranuar veprimet e tij, por nuk e ka pranuar mënyrën se si është hartuar aktakuza.
Avokati i tij, Nasuf Hasani, mohoi aktakuzën ndërsa përmendi si rrethanë lehtësuese faktin se klienti i tij ka bashkëpunuar me organet e ndjekjes. “Klienti im prej datës 9.4.2015, kur në bashkëpunim dhe në harmoni me prindërit e vet, kur kanë dëgju se ky është njeri prej kryesve të veprës penale, ka pranuar që në çdo moment të bashkëpunojë me organet e drejtësisë”, ka thënë Hasani.
Dy të akuzuarit e tjerë, Shpëtim Cakolli e Liridon Beka, po ashtu mohuan fajësinë, ndërsa avokati i të pandehurit të katërt, Ajduan Rexhepi, Destan Rukiqi kërkoë që ndaj klientit të tij të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, propozim ky që u refuzua nga gjykata.
Në mars të vitit të kaluar emisioni ‘Drejtësia në Kosovë” kishte sjellë filmimet ekskluzive të arrestimit të grupit të dyshuar dhe momentit kur Policia kishte zbuluar armën e vrasjes. /KALLXO.com/