Telegrafi

Ky është “Tony Montana”, shqiptari që goditi 120 herë me thikë mikun e tij në Londër

Një shqiptar në Britani të Madhe ka dalë përpara gjyqit sot në Londër, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij.

Mane Driza 41 vjeç, të cilit miqtë i thonë edhe “Tony Montana”, akuzohet për vrasjen e Stefan Bledar Mone, ngjarje e ndodhur më 22 Qershor 1999 në një apartament në veri të Londrës.

“Viktima ishte goditur 120 herë me thikë. Mane Driza, i cili mohon vrasjen, sulmoi mikun e tij pasi mendonte se i kishte vjedhur unazën e martesës”, tha Prokuroria në seancën gjyqësore.

Në atë kohë, Driza ishte 21 vjeç dhe punonte si punëtor ndërtimi. Ai u kishte thënë shokëve të punës se do të vriste mikun e tij shqiptar, madje duke i kërkuar njërit prej tyre që t’i blinte një thikë.

Autoritetet britanike në atë kohë kishin përdorur kamerat e sigurisë në rrugë për të gjurmuar autorin e dyshuar të vrasjes së Stefan Bledar Mone. I pandehuri ishte kapur nga kamerat duke u kthyer në banesën e tij dhe i plagosur rëndë, raportojnë mediat.

Prokuroria tha se armët e dyshuara të përdorura në vrasje, dy thika, u gjetën pranë trupit të pajetë.

E dashura e Stefan Bledar Mone, e cila ndodhej në spital për vizitë mjekësore pasi ishte 6-muajshe shtatzënë, u përball me skena horror kur u kthye në shtëpi.

Trupin e pajetë të të dashurit e konstatoi të nesërmen dhe e identifikoi vetëm nga rripi i pantallonave. Por autori i dyshuar, Mane Driza kishte ikur në Itali pas vrasjes. Policia britanike e gjurmoi atë në Siçili në vitin 2000 ku dhe e arrestoi.

Ai u tha hetuesve se me Stefan Mone kishte një mosmarrëveshje për çështje parash dhe pretendoi se viktima i ishte afruar me një thikë në dorë. Të gjitha këto informacione u thanë sot në seancën ndaj 41-vjeçarit. Gjyqi në Britani vazhdon javët në vijim.

Mane Driza emigroi në Britani të Madhe në gusht të vitit 1997, duke pretenduar se ishte një 17-vjeçar i larguar nga Kosova për shkak të luftës.

Ai dhe viktima Stefan Mone ishin bërë miq në Britani pasi ishin larguar nga Shqipëria.