Komuna e Fushë Kosovës ka sqaruar lidhur me rastin e ndërtimit të një shkolle në këtë komunë, për të cilin ndërtim kanë reaguar disa banorë të asaj lagjeje ku po ndërtohet shkolla.
Komuna e Fushë Kosovës thekson se po ballafaqohet me një shtim të madh të numrit të nxënësve për çdo fillim të vitit të ri mësimor dhe ndërtimi i shkollës së re është tejet e domosdoshme.
Më tej në sqarimin e komunës thuhet se shkolla ka filluar të ndërtohet sipas standardeve dhe në atë pjesë sipas komunës është më shumë se 1 hektar hapësirë e gjelbëruar.
Lexoni të plotë sqarimin e komunës:
“Bazuar në shkresën tuaj përkatësisht reagimit të një grupi të qytetarëve nga komuna jonë, lidhur me shkollën e cila ka filluar të ndërtohet, ju informojmë si më poshtë:
– Komuna e Fushë-Kosovës ballafaqohet me një shtim të madh të numrit të nxënësve për çdo fillim të vitit të ri mësimor.
– Deri më tani vetëm në Shkollën ‘Mihal Grameno’ është rritur numri i nxënësve të regjistruar vetëm në klasat e para, për 6 paralele të reja përtej planifikimit.
– Për ndërtimin e Shkollës ‘Mihal Grameno’ (paralele e ndarë – afër ‘Kompleksit 300’) janë përfillur të gjitha procedurat ligjore.
– Është më shumë se 1 hektar hapësirë e gjelbëruar tek ‘Kompleksi 300’ ku ata banorë nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë asgjë për ta mirëmbajtur apo për t’u kujdesur.
– Shkolla ka filluar të ndërtohet sipas standardeve.
Lidhur me dy pikat që kanë përmendur nënshkruesit e peticionit: 1.‘Rreth dëmtimit të ujësjellësit në tri ndërtesat’ dhe 2. ‘Rrezikun nga dëmtimi i kanalizimit’ ju njoftojmë se janë plotësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Janë gënjeshtra dhe trillime nga ata që kanë kohë të merren me këto punë.
– Sa për informimin tuaj ju njoftojmë se është edhe një shkollë tjetër e cila ka filluar të ndërtohet që para 6 viteve nga Ministria e Arsimit e cila ende nuk ka përfunduar dhe askush nuk ka bërë asgjë.
– Kjo është shkolla e tretë që ne e bëjmë për 4 vite.
Ju falënderojmë për interesimin tuaj dhe ju sigurojmë se asgjë nuk ka për t’u shqetësuar. Shqetësohen vetëm ata që bëjnë politikë destruktive”. /Telegrafi/