Telegrafi

Ky është skenari i protestës së nesërme

Protesta e paralajmëruar nga dy partitë opozitare, AAK dhe Nisma, e cila do të mbahet nesër, ka edhe skenarin e saj.

Fillimisht dy nisjet e protestuesve drejt sheshit “Skënderbeu” do të bëhen në formë simbolike nga Sheshi “Zahir Pajaziti” dhe nga Biblioteka Kombëtare që është organizim i studentëve të cilët kanë shprehur gatishmëri që të marrin pjesë në protestë.

Autobusët, të cilët do të vijnë me protestues nga komunat e Kosovës, do të zbarkojnë tek parkingu prapa Pallatit të Rinisë, të cilët do të mblidhen te sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar drejt sheshin “Skënderbeu”. Protesta e paralajmëruar paqësore do të zgjatë rreth 40 minuta dhe fjalime do të mbajnë liderët e partive, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Pal Lekaj.

Deputeti i Nismës, Enver Hoti, i cili është edhe pjesë e organizimit të kësaj proteste, tha për KosovaPress se me këtë formë të protestës në mënyrë paqësore do të manifestohet tërësisht refuzimi ndaj “këtij regjimi antikushtetues”.

Protesta do të zgjasë rreth 40 minuta ose brenda orës përfundon.

“Protesta pritet të jetë madhështore, masive dhe është protesta e parë që organizohet krejtësisht qytetare dhe paqësore, ku nuk do të kenë frikë as policia as qytetarët. Protesta është një moment kthese që nëpërmjet saj të ndalohet keqqeverisja”, tha deputeti Hoti.

Hoti i bëri thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi që, sipas tij, është për përmirësimin e gjendjes së qytetarëve.