Pas debatit të zhvilluar në Telegrafi, në mes kandidatëve për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Shaip Surdulli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe akuzës së Kastratit drejtuar Surdullit, se komuna e Kamenicës në vend të rëntgenit për njerëz e ka pranuar një të tillë për kafshët, janë siguruar edhe fotot e kësaj pajisje.
Në fotografitë të cilat i posedon Telegrafi, shihet mbishkrimi në gjuhën angleze – “For Veterinary use only”, e që do të thotë se pajisja është “vetëm për përdorim veterinar”.
Ndryshe, pas akuzave të kandidatit të VV-së, ka reaguar edhe kandidati i LDK-së Shaip Surdulli, i cili në këtë debat ka thënë se “ne kemi marrë materialin dhe e kemi përpunua dhe ia kemi dorëzuar Zyrës së prokurimit materialin e specifikacionin se si duhet të ndërtohet ajo ambulant, ku përveç tjerave është përcjell edhe aparati i rëntgenit se si duket”.
“Kur ka shkuar Komisioni të bëjë kontrollimin dhe pranimin teknik të objektit dhe aty ka marr pjesë edhe një anëtar i Komisionit dr.Asllan Dërmaku, kanë has në një aparat që nuk është adekuat, nuk është sipas fotografisë. Përkundrazi ka qenë i destinuar për kafshë”, ka theksuar Surdulli./Telegrafi/