Qeveria e Kosovës për një makineri gurëthyese i ka paguar, konzorciumit amerikano-turk “Bechtel-Enka”, nga 2,573 euro në ditë, për pesë muaj resht.
Por kjo nuk është e tëra. Me 53.4 milionë euro, të skandalit më të madh financiar, i konsiderua si plaçkitje e parave të shtetit, në emër të penalltive për vonesat në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani I Elezit, janë paguar ushqime të personalit, vetura të pa përdorura të kompanisë, makineri e sigurim i objekteve. Disa prej të cilave shpenzime koti.
Të gjitha të dokumentuara në një raport prej 91 faqesh i klasifikuar si “Konfidencial”.
Gazeta Fokus, ka siguruar këtë dokument ku figurojnë shifrat marramendëse të arsyetimeve qe i ka bërë kompania amerikano-turke “Bechtel&Enka” për ta rritur çekun në 53.4 milionë euro.
Krejt kjo, në emër të neglizhencës së shtetit për të ndarë buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e Autostradë “Arbën Xhaferi”, në bazë të marrëveshjes me kompaninë punëkryese.
Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka”, në vitin 2014 ishin dakorduar që për tri vjet ta ndërtonin autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 599.9 milionë euro.
Punimet planifikoheshin të përfundojnë më 20 janar 2018. Mirëpo për shkak të vonesave në pagesa, Qeveria kërkoi që afati të shtyhej edhe një vit, saktësisht deri më 31.12.2018.
Si pasojë e këtyre vonesave, “Bechtel-Enka” në fund të muajit nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri të Infrastrukturës me pretendimin prej 63 milionë eurosh, e cila shumë pas negociatave u zbrit në 53.4 milionë euro.
Kompania pretendimin e bazoi në emër të zgjatjes së afatit të punimeve të kërkuar nga vetë Qeveria e Kosovës.
Kështu për pagesën dhe për mbajtjen e personelit menaxhues të nevojshëm për administrimin e projektit “Bechtel” kërkoi 14.1 milionë euro, për pajisjet të cilat do të duhej të përdoreshin gjatë kësaj periudhe kërkoi 30.8 milionë euro, ndërsa 8.5 milionë euro tjera për ndërprerjet e shkaktuara gjatë periudhës 2014-2017.
Gazeta Fokus ka gjetur se sipas këtij raporti, në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, por janë paguar vetëm 55.4 milionë euro. Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro, janë paguar 112.1 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 nga 205 milionë euro sa ishte me kontratë, u paguan vetëm 155.9 milionë euro.
Faqe të tëra të raportit të siguruar nga Gazeta Fokus, përmbajnë detaje të korrespodencave mes zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës e drejtuesve të kompanisë për “pazarin” e autostradës.
Gazeta Fokus së shpejti do të publikoi detaje të pa zbuluara ndonjëherë nga kontrata për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. /Gazeta Fokus/Telegrafi/