Një vështrim krejt personal për kandidatët më të mundshëm për garën e parë presidenciale me vota të drejtpërdrejta në Kosovë
KALKULIMET TASHMË ME të madhe kanë filluar. Teksa Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës ka hyrë në fazën e vet finale të prezantimit të ndryshimeve – ku një ndër pjesët më të ndjeshme është ajo që ka të bëjë me zgjedhjen dhe kompetencat e Presidentit – subjektet politike dhe faktorë të tjerë sa hapur dhe sa nën tavolinë kanë filluar të ndërtojnë strategjitë. Duke qenë se do të jetë hera e parë që në Kosovë do të ketë një President të zgjedhur me vota të popullit dhe kompetenca të zgjeruara, posti imponon strategji, lakmi dhe ambicie.
Kush mund të jenë kandidatët në garën e parë të drejtpërdrejt për President të Republikës së Kosovës? Ja që në vazhdim do të jap një vështrim krejt personal për disa kandidatë të mundshëm që në situata të caktuara do të mund të hyjnë në garë për të parin e vendit, pavarësisht natyrës spekulative që ka kjo përmendje. Pse mendoj se secili prej tyre mund të jetë gjasa reale të bëhet President? Përgjigjja për skeptikët: Kur Presidentja në detyrë ka kaluar për rreth 48 orë gjithë procesin nga përmendja deri në zgjedhjen në postin e parë të Kushtetutës, si mund të përjashtohet ndonjë nga skenarët në vazhdim?!
HASHIM THAÇI. Nga këndvështrimi aktual i konstelacionit të situatës do të mund të paraqiste një kandidaturë të logjikshme. PDK-ja, me gjithë përplasjet e brendshme që do të lënë pasoja, sërish mund të ketë një përparësi të lehtë kundrejt subjekteve të tjera politike. Ka dëshmuar që me vite ka elektoratin më stabil dhe mobilizues. Po ashtu, gjatë kohës sa po qeveris me Kosovën ka qenë shumë e vëmendshme që t’i shpërblejë me poste në të gjitha fushat militantët partiakë, si dhe të shtrojë rrugë dhe të ndërtojë shkolla më tepër në vendet ku ka votues se sa në të tjerat. Për të gjitha këto, kryeministri aktual ka pasur shumë kujdes që të krijojë përshtypjen te masa se bëhen veçmas me meritën e tij. Shto këtu edhe kujdesin e raportuar edhe nga misionet vëzhguese të zgjedhjeve për “mbrojtjen e votës” – thënë në zhargonin më të butë – ai imponohet si kandidat serioz. Pa harruar edhe vesin e harxhimit të milionëve për fushatë zgjedhore. Sidoqoftë, Thaçi do të mund të kandidonte për post të Presidentit, varësisht se kur do të mbaheshin zgjedhjet, pasi që vazhdon të ketë një mundësi reale që të ketë në të njëjtën kohë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Në një rast të këtillë, kryetari i përhershëm i PDK-së do të kujdesej të linte një bashkëpunëtor besnik të tij për pasardhës partiak, kurse për vete të synonte pozitën e Presidentit. Zgjedhja për President, Thaçit do t’i siguronte së paku një mandat pesëvjeçar në krye të politikës, pavarësisht se a do të ishte arrinte PDK-ja të fitojë zgjedhjet e ardhshme, ose të jetë pjesë e koalicionit të ri qeveritar.
JAKUP KRASNIQI. Do të mund të ishte kandidat i PDK-së, por sigurisht jo me qejfin e Thaçit. Megjithëse, nuk dihet se si do të mund të ishte kandidat në qoftë se pikërisht Thaçi nuk do t’ia jepte izën për këtë. Krasniqi nuk e kishte fshehur ambicien as në zgjedhjet e kaluara, e nuk po e fsheh as tash. Në sondazhet e fundit ka pasur raste që ka dalë edhe politikani më popullor në Kosovë, ndërsa është edhe i vetmi kandidat për tri postet kryesore kushtetuese që ndonjëherë ka fituar 90 vota të deputetëve. Sidoqoftë, kandidatura e tij mund të ketë gjasa më të mëdha, në qoftë se Thaçi do të vendoste të mos kandidonte, por edhe në qoftë se do të arrihej dakordim në pazar politik me ndonjë subjekt tjetër që Krasniqi të jetë kandidat i përbashkët për President. Ndërkohë, do të duhej pritur edhe sinjalet nga ambasadat e fuqishme në Kosovë.
HAJREDIN KUÇI. Mund të jetë kompromisi ndërmjet Thaçit dhe Krasniqit, i përkrahur edhe nga ndërkombëtarët. Juristi shumë i angazhuar dhe i parë shpesh si “mastermind” i qeverisë dhe njeriu pa të cilin Thaçi nuk mundet, do të shihej si i përshtatshëm për bashkëpunim edhe nga subjektet e tjera politike, kurse do t’i vlerësohej edhe përvoja e gjatë në institucione.
SABRI HAMITI. Është emri i parë në të cilin të shkon mendja kur mendohet në LDK, dhe në rast se me ndonjë skenar nuk do të kandidojë kryetari i LDK-së dhe i Prishtinës, Isa Mustafa. Një nga personalitetet më të vjetra me ndikim të përhershëm të padiskutueshëm në LDK do të mund ta sprovojë veten në sfidën e tij të parë të madhe dhe të drejtpërdrejtë për një post tjetër jashtë Kuvendit. Sidoqoftë, shpesh i kritikuar për qasjen e vështirë në komunikimin me të tjerët, do të mund të pritej me rezerva nga një pjesë e LDK-së që do reforma rrënjësore në parti, mirëpo kjo do të mund të kompensohej nga simpatitë nga subjekte të tjera për shkak të bashkëpunimit të gjatë në institucione.
ISA MUSTAFA. Mund të jetë kandidati i LDK-së dhe atë nëse shkohet si kandidat i përbashkët edhe me ndonjë subjekt tjetër politik, me synim fitoren e sigurt. Në të kundërtën, vështirë të kandidonte, pasi që humbja eventuale do të mund të nënkuptonte edhe fundin e tij politik, duke kujtuar këtu se me humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme do të barazohej në dy-dy me humbje e fitore, pas dy ngadhënjimeve për kryetar të Prishtinës.
BLERIM SHALA. Gjithçka, si dhe deri më tash me AAK-në, do të varet ngushtë nga verdikti që do ta shqiptojë Trubunali i Hagës për Ramush Haradinajn. I vlerësuar nga të gjitha anët për diapazonin politik, palodhshmërinë në punë dhe përvojën në proceset nëpër të cilat ka kaluar politika kosovare, do ishte lehtë kandidat i përbashkët i AAK-së me ndonjërën nga dy partitë e mëdha, PDK e LDK, e këtu nuk do ta përjashtoja as Lëvizjen “Vetëvendosje”. Ndonëse, duket se disponimi aktual i AAK-së është që të arrijë marrëveshje me ndonjë subjekt politik për mbështetjen e Haradinajt për kryeministër të Kosovës, në mënyrë që të fitohet mbështetja e akëcilit kandidat nga të përmendurit për President të Kosovës.
VETON SURROI. Nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit, ndonëse as nuk e ka pohuar. Sidoqoftë, ka vlerësime të përgjithshme se do të mund të ishte një kandidat konsensual i disa partive në Kosovë, si kuadër që ka çka të japë për vendin. Ndoshta me përvojën më të madhe nga të tjerët dhe i paanashkalueshëm në proceset më të rëndësishme që ka kaluar Kosova në mbi 20 vjetët e fundit, do të mund të imponohej si i përshtatshëm për kalimin e vendit në një fazë tjetër të zhvillimit. Po ashtu, me respekt të veçantë ndërkombëtar, ndonëse jo shumë i suksesshëm me angazhimin e deritashëm të drejtpërdrejtë për fitimin e votës.
ALBIN KURTI. Aktualisht, nuk shoh ndonjë emër tjetër të përveçëm që Lëvizja “Vetëvendosje!” do ta kandidonte për postin e Presidentit, ndonëse ky post nuk do të ishte edhe më i përshtatshmi për mënyrën e veprimit të deritashëm të tij, të ndërlidhur me të tjerët. Sërish, do të mund të siguronte edhe përkrahjen e ndonjë subjekti tjetër politik, në qoftë se partia e tij do të dakordohej që të formonte qeveri me ta në të ardhmen. Po ashtu, “Vetëvendosje!” do të mund të kandidonte edhe ndonjë nga anëtarët pak më të moshuar të listës zgjedhore, kryesisht ish-drejtorë ndërmarrjesh shoqërore, por këto kandidatura do të kishin më tepër efekt të kryerjes së detyrimit zgjedhor, pa ambicie serioze për fitore.
BEHGJET PACOLLI. Ndonëse e lë të hapur si mundësi, kryesisht për shkak të vendimit të Komisionit Kushtetues për dyshtetësinë e Presidentit, në qoftë se hiqet kjo pengesë gjithsesi se do të jetë njëri nga kandidatët. Duke pasë parasysh rezultatin e fundit zgjedhor dhe vështirësitë me PDK-në gjatë kandidimit të fundit në Kuvend, do të bëjë çmos që të fitojë përkrahjen edhe të ndonjë subjekti tjetër politik. Mirëpo, pavarësisht rezultateve, gjasat janë të mëdha se do të kandidojë. Ndoshta si rasti i fundit në karrierën e tij politike, në të cilën, në rast të dështimit, do t’i kthehej sërish biznesit.
ATIFETE JAHJAGA. Qartësisht nuk e fsheh ambicien teksa – me gjithë mandatin të kufizuar nga një marrëveshje politik – nuk thotë se nuk do të garojë. Mirëpo, edhe presidentja aktuale do të duhet të presë vendimin e Komisionit Kushtetues lidhur me kufizimin e moshës. E kemi parë një herë si kompromis me qëllim të qetësimit të situatës politike, mund të përsëritet prapë.
KADIDATË TË TJERË të cilat në rrethana të caktuara nuk do t’i përjashtoja, qoftë nga ambicia personale, qoftë nga kalkulimet e të tjerëve, janë edhe NEXHAT DACI, MIMOZA KUSARI – LILA, ARSIM BAJRAMI, REXHEP ISMAJLI, MUHAMEDIN KULLASHI, AVNI SPAHIU e ndonjë tjetër. Sidoqoftë, renditja e mësipërme më tepër është e rastësishme dhe nuk është e bazuar në atë se cili i ka gjasat më reale. Dhe të gjithë këta skenarë, pa përjashtuar sërish – ndonëse me gjasa shumë të vogla – të imponimit të ndonjë gjysmë-anonimusi në minuta të fundit.