Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup përmes një njoftimi me shkrim bëri të ditur se marrëveshja reciproke mes Maqedonisë dhe Turqisë për njohjen e diplomave të ciklit të lartë arsimor është shfuqizuar për shkak të mospërputhjes me kriteret e njohjes dhe barazvlerësimit sipas standardeve aktuale.
“Marrëveshja për njohjen e certifikatave arsimore dhe diplomave të nivelit të lartë, universitar, pasuniversitar dhe të doktoratës që jepen në Republikën e Turqisë dhe Republikën e Maqedonisë, të nënshkruar mes shtetin tonë dhe Maqedonisë më 06.06.1998, është shfuqizuar në përputhshmëri me kërkesën e Këshillit të Arsimit të Lartë (YÖK) për shkak të mospërputhjes me kriteret e njohjes dhe barazvlerësimit sipas standardeve aktuale”, thuhet në njoftimin e ambasadës turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftim theksohet se krahas kësaj, nuk do të ketë asnjë ndryshim në procedurat e barazvlerësimit, ndërsa çështja do të drejtohet në korniza të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me çështjen, nënshkruese të të cilave janë edhe dy shtetet.