Telegrafi

Ky është amaneti që la pas Dritëro Agolli

Largimi nga jeta i shkrimtarit Dritëro Agolli pasditen e djeshme ka ndezur në masë reagimin publik duke ndjerë mjaft keqardhje për shuarjen e një prej gjenive të letrave shqipe.

Agolli, përveçse shkrimtar ka qenë edhe një njeri shumë pranë medias ku hera herës publikonte artikujt e tij për mendime personale lidhur me ngjarje të rëndësishme.

Një të tillë e ka publikuar në “Gazeta Shqiptare” në vitin 2010 ku një ngjarje e rëndë ishte temë e ditës. Bëhej fjalë për ngritjen e një memoriali për vrasjen e një ushtari grek që u shoqërua edhe me prishje të varreve të vjetra ekzistuese të banorëve të zonës së Boboshticës.

“Balkanweb” ka publikuar një pjesë të këtij shkrimi ditën e sotme.

“Dhe pas asaj që ndodhi, nuk besoj të ketë njeri me mend, që të lërë ndonjë testament ku të kërkojë t’i bëjnë ndonjë bust a përmendore. Qoftë ky inxhinier me famë, shkencëtar apo poet, askush nuk ka më dëshirë të bëhet monument për të. Unë për vete nuk do të kisha dëshirë të më bëhej, gjithnjë nëse do ta meritoja.

Madje, siç ka ardhur një kohë që mbi kockat tona vijnë e ngrihen kryqe e gjysmëhëna në varreza, më mirë do të ishte që ta digjnin trupin, ta kthenin në hi dhe ta hidhnin në lumë, në Devoll. Aty askush nuk e gjen dot. Edhe unë po mendoj për këtë gjë; sa të dhjesin grekët mbi mua, më mirë të më digjet trupi e të hidhet në Devoll, se aty s’kanë nga ta gjejnë”, ka shkruar Dritëro Agolli duke mbetur një atdhetar deri ditën e fundit.