Site icon Telegrafi

Kuzhinë dhe depo e barnave në një vend, a po rrezikohet cilësia e produkteve medicinale?

Mini shporet elektrik, tenxhere, gjygyma dhe enë të ndryshme janë të vendosura në hapësirën e destinuar për vendosjen e barnave.

Më 21 nëntor 2023 “Betimi për Drejtësi” ka vizituar Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe ka gjetur se në të njëjtin vend ku ruhen barnat për pacientë është improvizuar një pjesë për të zier ushqim. Kjo kuzhinë e improvizuar është në shërbim të stafit të barnatores së spitalit.

Përveç kësaj për një periudhë të gjatë një pjesë e barnave dhe materialeve shpenzuese kanë qëndruar edhe në kuzhinën kryesore të spitalit. Këtë e konfirmon ish- drejtori mjekësor, Fatbardh Rexha.

Gazetarja: Tash e sa kohë po qëndrojnë materialet në korridor?

Ish- drejtori mjekësor: Është kohë e gjatë. Jemi detyru një kohë t’i ruajmë brenda hapësirave të kuzhinës së spitalit për shkak të shfrytëzimit të kapaciteteve nga kuzhina jemi detyruar prapë që prej kuzhinës me i qit në korridor kështu që është një kohë e gjatë që ne jemi të detyruar me i rujt në korridor.

Gazetarja: Sqaroma të lutem këtë kur po thuani i kemi lënë materialet në kuzhinë. A jeni detyruar materialet me i lënë në kuzhinë?

Ish- drejtori mjekësor: Jemi detyruar në një pjesë të hapësirave të destinuara për kuzhinë me i rujt materialet.

Gazetarja: A nuk ka qenë rrezik që ka me u prish cilësia e tyre duke pasur parasysh që në kuzhinë zihet edhe ambienti është shumë më i ngrohtë se sa që duhet për me qëndruar materialet edhe barnat?

Ish- drejtori mjekësor: Në pjesën ku janë ruajtur barnat, në pjesën e kuzhinës, ka qenë e përzgjedhur në atë formë që të mos jenë në ndikim të temperaturave dhe lagështisë, por me rritjen e kapacitetet të punës së kuzhinës dhe shfrytëzimit të asaj hapësire jemi detyruar me i lanë jashtë në korridor. Normalisht jemi të vetëdijshëm që nuk janë kushtet krejt optimale, por jemi të detyrum në ndikim të mungesës së hapësirës adekuate.

Gazetarja: Do të thotë në kuzhinë nuk ka pas vetëm materiale, por ka pas materiale edhe barna?

Ish- drejtori mjekësor: Po. Ato barnat, tretjet infuzive që i keni parë në korridor kanë qenë një pjesë e tyre në kuzhinë.

Gazetarja: Për sa kohë kanë qëndru në kuzhinë?

Ish-drejtori mjekësor: Nuk mundemi me thanë kohën saktë për shkak se ne si menaxhment i ri kemi ardh javën e kalume kështu që nuk mundem të japë ditën, kohën, datën prej kur janë aty, por megjithatë janë një kohë e gjatë që janë në korridor.

Infuzione, qese urinare e materiale të tjera shpenzuese janë të vendosura në korridorin e spitalit. Siguria e tyre e vetme është vendosja në paleta.

Ndonëse është spital rajonal dhe në të marrin shërbime me mijëra pacientë brenda vitit, Spitali në Mitrovicë nuk ka depo për vendosjen e barnave dhe materialeve shpenzuese.

Ish – drejtori mjekësor thotë se në vendin ku janë vendosur aktualisht barnat dhe materialet shpenzuese është vetëm një hapësirë e veçantë dhe nuk e plotëson asnjë kriter për të qenë depo.

Ish- drejtori mjekësor:
Për shkak se nuk i plotëson kriteret. Për shkak të kushteve jo të favorshme për ruajtjen e materialit të tillë dhe të detyrun për shkak të kësaj mungesës, ne e kemi aty ku i kemi vendos (në korridorin e spitalit) si zgjidhje të ndërmjetme e kemi marrë një pjesë të materialit e kemi distribuuar nëpër reparte që të ruhet nëpër depo të reparteve përkatëse në mënyrë që të mos qëndron sasi shumë të madhe e barnave nëpër korridor.

Gazetarja: A do të thotë kjo që Spitali i Mitrovicës aktualisht nuk ka depo fare?

Ish- drejtori mjekësor: Aktualisht nuk ka depo.

Fatbardh Rexha, ish- drejtor mjekësor thotë se për të gjitha këto është i njoftuar menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Sipas tij, ata kanë premtuar se do t’i ndihmojnë në realizimin e një depoje gjatë vitit të ardhshëm. Ai sqaron se me këto kushte që i kanë mundohen të ruajnë sigurinë e produkteve përmes vëzhgimit të kamerave gjatë 24 orëve në shtatë ditë të javës.

“Kërkesa jonë zyrtare është dërguar në ShSKUK, ata janë edhe të njoftuar edhe gojarisht prej menaxhmentit të spitalit dhe normalisht janë zotu se do të na ndihmojnë në realizimin e një depo të tillë dhe po shpresojmë që vitin e ardhshëm ajo do të bëhet për shkak se kjo është imediate do të thotë, siç e keni parë, kushtet nuk janë shumë të favorshme, krahas këtyre kushteve që i kemi ne mundohemi që ato të ruhen ato janë nën vëzhgimin e kamerave 24 orë megjithatë depo është imediate dhe është kërkesë që na u ka pranu dhe besoj që vitin e ardhshëm do të realizohet”, u shpreh ai. /Betimi për Drejtësi/

Exit mobile version