Kuzhina lokale, si ofertë turistike për zonën ndërkufitare Shqipëri-Mali i Zi, synon të rrisë konkurrencën në sektorin e turizmit si dhe do të rrisë vlerat ekonomike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Bashkia e Pukës ka zhvilluar ditën e hënë një konkurs në këtë qytet, ku kuzhinierë të ndryshëm të bujtinave, guest house-ve, restoranteve, etj., kanë gatuar disa receta tradicionale të ndërthurura me ato moderne.
Specialistja e Drejtorisë së Turizmit pranë kësaj bashkie, Mirjana Pashka theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), se ky konkurs ka si synim specifik përfshirjen e gastronomisë lokale të zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike.
“Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rritja e konkurrencës së sektorit të turizmit duke rritur vlerën ekonomike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndërsa objektivi specifik është përfshirja e gastronomisë lokale të zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike. Qëllimi është paraqitja e kuzhinës lokale si pjesë e ofertës turistike dhe t’u paraqitet turistëve një pasqyrim i në traditës përmes gastronomisë lokale”, theksoi Pashkaj.
Sipas saj, krijimi i të tilla konkurseve pritet që të sjellë disa rezultate mjaft të mira, duke bërë përfshirjen e recetave tradicionale në industrinë lokale të turizmit, krijimin e itinerareve turistike, etj.
“Nga krijimi i këtyre aktiviteteve presim një sërë rezultatesh, si: Recetat lokale tradicionale të përfshihen në industrinë lokale të turizmit, krijimi i itinerareve turistike, si dhe promovimin e gastronomisë lokale”, theksoi Pashkaj, transmeton atsh.
Sipas specialistes, Pashkaj, aktiviteti i datës 27 gusht kishte të bënte me ngritjen e kapaciteteve të shefave të kuzhinës dhe kuzhinierëve, si dhe ndërgjegjësimin e personave që kanë shtëpi pritëse.
“Synohet edhe rritja e ndërgjegjësimit edhe të personave që kanë shtëpi pritëse. Përmes këtij trajnimi, përcillet mesazhi i përfshirjes së recetave të vjetra të zonës së Pukës në restorantet e tyre, jo vetëm për të rritur ofertën e tyre në shërbimin ndaj turistëve, por duke e trajtuar këtë si ruajtje të traditës dhe kulturës lokale”, përfundoi Pashkaj. /Telegrafi/