Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, bëri që disa nga institucionet të ‘paralizohen’ duke mos kryer punët që iu takojnë.
Kështu si pasojë e ‘rënies’ së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka mbetur një pako e projektligjeve dhe ligjeve të cilat nuk kanë marr verdiktin përfundimtar në Kuvendin e Kosovës.
Monitoruesja nga KDI, Agnesa Haxhiu, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se janë 46 projektligje që kanë mbetur në procedurë të shqyrtimit, dhe se sipas saj në bazë të rregullores së Kuvendit konsiderohen të papërfunduara që nuk vlejnë për legjislaturën e ardhshme.
“Me shpërndarjen e legjislaturës së VI-të të Kuvendit, 46 projektligje kanë mbetur në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare, qoftë në lexim të parë ose lexim të dytë në seancë. Sipas rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, të gjitha çështjet të cilat janë proceduar në Kuvend dhe që nuk kanë përfunduar deri në fund të punës së legjislaturës së gjashtë konsiderohen si të përfunduara dhe nuk vlejnë për legjislaturën e ardhshme. Kjo do të thotë që të gjitha ato projektligjet që janë amendamentuar nga komisionet por nuk kanë marrë miratim final në seancë do të kthen në pikën fillestare dhe mandej do të varet nga programi legjislativ i Qeverisë dhe Kuvendit nëse do të parashihen për shqyrtim ato projektligje ose jo”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka përmendur edhe disa nga ligjet të cilat do të duhej të përfundonin në afate kohore sipas përcaktimit të Agjencisë për Reforma Evropiane (ERA).
“Sa i përket projektligjeve që kanë derivuar nga prioritetet në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane e që kanë mbetur në procedurë të shqyrtimit në komisione siç janë, Kodi i ri i procedurës penale, Ligji për arsimin e lartë, Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale do të duhej të miratoheshin brenda afateve kohore që janë të përcaktuar me ERA-në. Ndërkaq, janë edhe disa projektligje të tjera të rëndësishme për reformën në drejtësi e që rrjedhin nga ERA që kanë qenë pjesë e programit legjislativ të Qeverisë për vitin 2019 por që deri në momentin e shpërndarjes së legjislaturës së VI-të nuk janë proceduar në Kuvend. Janë Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit etj, e që pritet të shihet nëse Qeveria e re do t’i bart në programin legjislativ të vitit të ardhshëm”, është shprehur ajo.
Në anën tjetër analisti politik, Ramush Tahiri, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se pas rënies së Qeverisë ka pasur kohë që të procedohen projektligjet, por sipas tij nuk ka pasur përpjekje.
“Një varg ligjesh kanë mbetur pa u proceduar. Arsyet janë më të ndryshmet, por nuk janë procedurale, dhe nuk është shumë befasi dorëheqja e Ramush Haradinajt. Me rënien e Qeverisë ka pasur kohë më shumë se një muaj që të procedohen, dhe Kuvendi ka qenë ende aktiv. Mirëpo, nuk pasur asnjë përpjekje që të përshpejtohet procedura dhe të miratohen pakot e ligjeve të rëndësishme për Kosovën, pasi që vendi po shkonte vendi në zgjedhje”, ka thënë ai.
Tahiri ka hedhur fajin tek Qeveria dhe Kuvendi për mosmiratimin e këtyre ligjeve.
“Këtu është një mos-ndjesi e Kuvendit dhe e Qeverisë. Ata kur po kanë interesa personale apo partiake po i gjejnë të gjitha procedurat dhe po e kryejnë punën. Por, kur po ka zgjidhje sistemore atëherë po e shtyjnë dhe po e kufizojnë vetën në kuptimin negativ. E gjithë kjo e dëmton demokracinë në vend dhe integrimet evropiane, sepse i kanë standardet e tyre, ani pse ne ende nuk e kemi pyetësorin që e kanë vendet e rajonit. Pra janë një varg fushash në raport të progresit që Kosova duhet t’i përmbyll, dhe është fakti që Kosova penalizohet dhe mbetet mbrapa në integrime evropiane me mosmiratimin e këtyre ligjeve”, ka thënë ai.
Kujtojmë që zgjedhjet e parakohshme janë mbajtur me 6 tetor, dhe janë bërë më shumë se një muaj nga përfundimi i tyre, ndërsa ende nuk ka formim të institucioneve të Kosovës./Telegrafi/