Pas eliminimit të kandidaturës së Erolld Belegut ditë më parë nga Bordi i FBK-së, ka reaguar Belegu dhe klubet të cilat e përkrahin atë, duke mbajtur dje në Sheshin 21 një konferencë për media.
Të pranishëm ishin përfaqësuesit e disa klubeve si Sigal Prishtina, Trepça (meshkujt dhe femrat), Drita, RTV 21, Ylli, Bashkimi femrat, të cilët njëzëri kanë përkrahur kandidaturën e Belegut për kryetar të FBK-së.
“Duam t’ia rikujtojmë anëtarëve të mbetur të Bordit të FBK-së se në bazë të Statutit të FBK-së, i njëjti nuk ka të drejtë të marrjes së vendimeve, ngase neni 23 përcakton se Bordi i FBK-së përbëhet nga 13 anëtarë. Bordi i FBK-së ka vepruar në kundërshtim me rregulloren e Punës së Bordit të FBK-së”, tha Belegu, sipas të cilit për të marr ndonjë vendim duhet të jenë të pranishëm të paktën 7 anëtarë.
“Unë e di se kanë mbetur vetëm 4 anëtarë të Bordit, por nuk jam i sigurt se të gjithë këta kanë qenë në mbledhjen kur është marr vendimi”.
Belegu bëri të ditur emrat e anëtarëve të Bordit të cilët tashmë nuk janë pjesë e këtij Bordi, por edhe përmendi faktin se me largimin e Gashit, edhe anëtarët e zgjedhur nga ai nuk mund të jenë më anëtarë të bordit. Belegu tha se ka 5 ditë rresht që klubet kërkojnë listën e delegatëve me të drejtë vote, por kjo nuk u jepet nga FBK-ja.
“Ata janë të ndërgjegjshëm se nuk e kanë marr një vendim të drejtë dhe po frikësohen, për këtë arsye edhe sot kanë dalur në terren për të mbledhur vota”.
Sa i përket nënshkrimeve të përfaqësuesve të Yllit dhe Bashkimit, për të cilët thuhet se ishin të falsifikuar, në konferencë ishin të pranishëm Ruzhdi Kuçi i Yllit dhe Zia Miftari i Bashkimit, të cilët thanë se nuk ka pasur asnjë falsifikim, por thjeshtë ka qenë një mosmarrëveshje.
Ata bënë me dije se e kanë njoftuar FBK-në (Kuqi me 20 gusht e Miftari me 19 gushtë) se e përkrahin kandidaturën e Belegut dhe se edhe sot qëndrojnë pas tij. Përfaqësuesja e skuadrës së femrave të Trepçës, Linda Shala pyeti se ”prej nga e drejta me e hedhë poshtë nominimin e KB Trepça.
Kjo ndodh vetëm në sistemet totalitare dhe ish komuniste”. Në pyetjen se a ka gjasa që klubet ta ndërrojnë mendjen deri të shtunën dhe t’ia kthejnë shpinën, Belegu tha ”edhe nëse e ndërrojnë, do të jenë në favorin tim”. Si kandidatë i vetëm për kryetar zyrtarisht ka mbetur vetëm Blerim Vuniqi.
Reagon Bordi i FBK-së
Pas konferencës për shtyp të Erolld Belegut dhe përfaqësuesve të disa klubeve, nëpërmjet një komunikate ka reaguar edhe Bordi i FBK-së.
“Interpretimet tek ne bëhen sipas asaj se si i konvenon dikujt, sipas asaj se si i imponohet ta interpretoj. Nuk i beson askush askujt, secili paraqitet me i mençur se tjetri, por një gjë është e qartë, Bordi ekzistues është funksional i zgjedhur nga Kuvendi Zgjedhor dhe nuk është shkarkuar.
Askund në Statutin e FBK nuk mund ta gjesh se me rastin e dorëheqjes së kryetarit bie Bordi. Nga ai Bord shumë aktiv dhe funksional janë gjashtë nga ta ndërsa edhe ata që kanë ofruar dorëheqje janë pjesë e Bordit sepse këtë dorëheqje duhet ta aprovoj Kuvendi.
Nëse nuk jemi legjitim pse nuk e kanë dërguar dokumentacionin diku tjetër por në FBK. Jemi mësuar me paralelizma sepse këtë e kemi bërë kur është dashur e kur nuk duhet.
Çka do që deklarojnë për lëndën e kandidimit është e tepërt sepse është si e tërë dhe falsifikuar, ndërsa anëtarët e Bordit të emëruar nga kryetari janë legjitim, sepse nuk i ka shkarkuar kryetari dhe janë me imunitet deri në emërimin e kryetarit të ri.
Vendimet merren në institucione e jo në kafene. FBK është institucion i vetëm i licencuar për basketbollin”. /Zëri/Telegrafi/