Site icon Telegrafi

​Kuvendi zgjedh anëtarin e KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike

Emine Avdyli Pozhari dhe Dardan Vuniqi kanë qenë dy kandidatët për anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike. Kuvendi i Kosovës zgjodhi Dardan Vuniqin me 49 vota, i cili do të ketë mandat pesë-vjeçar.

Në seancën e sotme plenare, me votë të fshehtë deputetët kanë votuar për Emine Abdyli Pozharin nga Universiteti i Prishtinës dhe Dardan Vuniqin nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.

Pas votimit, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka treguar për numrin e votave nga dy kandidatët.

“Votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Fakultetit Juridik të Republikës së Kosovës janë: në votim kanë marrë pjesë gjithsej 90 deputetë, të pavlefshme janë pesë fletëvotime. Emine Abdyli Pozhari ka fituar 36 vota, Dardan Vuniqi ka fituar 49 vota”, tha ajo. /kp/

Exit mobile version