Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu tha se të dhënat hapësinorë janë të domosdoshme për vendin.
Duke sqaruar Projektligjin, ai tha se të gjitha të dhënat hapësinore do të do vendosen në një data bazë të vetme gjeo-hapësinore, e cila siç tha Aliu, do të jetë e qasshme edhe për publikun dhe institucionet qendrore e lokale.
“Objektiv kryesor i këtij Projektligji është përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës që të merren me krijimin e të dhënave gjeo-hapsinore. Po ashtu, qëllim është përcaktimi i kritereve për krijimi e të dhënave e që do të jenë pjesë e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore për Kosovën. Me këtë Projektligj do të mundësohet krijimi, mbledhja dhe shkëmbimi i informacioneve të centralizuara me vendet e tjera sipas praktikave të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Projektligji për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor u mbështet me 68 vota. /KP/Telegrafi/