Kuvendi i Kosovës ka votuar në seancën e së mërkurës pro ndryshimit të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Projektligji për Rregullat e Trafikut Rrugor është votuar në lexim të parë nga 61 deputetë të pozitës – asnjëri ta nuk votoi kundër e as nuk abstenoi.
Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli, ka thënë se ky ligj do të shfuqizojë atë që është në fuqi për rregullat e trafikut rrugor.
Ajo tutje ka deklaruar se qëllimi ka qenë që të lehtësohet puna e institucioneve, pra policisë dhe gjykatave, raporton Telegrafi.
“Ky ligj eviton të metat dhe mangësitë e identifikuara gjatë zbatimit të ligjit paraprak. Policët do të punojnë vetëm me këtë ligj, pra nuk do t’i referohen edhe ligjit aktual. Në hartimin e këtij ligji kanë marrë pjesë zyrtarë nga Policia e Kosovës, Ministria e Mjedisit, ekspertë të jashtëm e pjesëtarë nga shoqëria civile”, ka thënë Pacolli para deputetëve.
Tutje, ajo është shprehur se si pasojë e rritjes së numrit të aksidenteve në trafikun rrugor, veçanërisht të atyre me fatalitet, është paraqitur nevoja që me urgjencë të nxirret ky akt i ri.
Pacolli po ashtu ka treguar disa nga risitë e këtij projektligji.
“Ky projektligj ka edhe disa risi, pra përdorimi i video-incizimeve si prove për të dëshmuar shkeljet në trafik. Kundërvajtjet do të shqiptohen dhe dërgohen në adresën e shkelësit përmes postës postare. Bartjen e përgjegjësisë tek pronari i automjetit në rastet kur nuk arrihet të identifikohet shoferi, por edhe në rastet kur shoferi është i mitur”.
“Aplikimi i masës mbrojtëse për përsëritësit dhe shkelësit, pra konfiskimi i patent shoferëve dhe shqiptimi i pikëve negative. Po ashtu është çështja e trotineteve elektrikë që së fundmi po përdoren edhe në Kosovë”, ka përfunduar ajo.
Ligji 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor ka hyrë në fuqi më 20 shtator 2016.
Ndonëse nga Ministria e Infrastrukturës në atë kohë ishte proklamuar se do të rrisë sigurinë në trafik, ekspertët e komunikacionit patën rekomanduar që urgjentisht të kthehet në Qeveri në mënyrë që të punohet nga grupi i ekspertëve jashtë institucioneve shtetërore, duke respektuar standardet evropiane./Telegrafi/