Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përkrahur zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.
Ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë po vazhdon të ngrihet për shkak të agresionit rus ushtarak në Ukrainë.
“Prodhimi i energjisë është më stabil, mirëpo vjetërsia e termocentralit ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ konsiderohet rrezik për furnizim me energji. Çmimet vazhdojnë të rriten në bursë. Këto çmime vazhdojnë të rriten për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Kërkoj miratimin e masave emergjente në sektorin e energjisë”, tha Rizvanolli, përcjell Telegrafi.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 62-të ka marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike në vend.
Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi kishte miratuar vendimin e Qeverisë për ta shpallë emergjente gjendjen me energji elektrike, e cila do të vlente për 60 ditë.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. /Telegrafi/