Telegrafi

Kuvendi të martën seancë për Telekomin e Kosovës, më pas seancë tri ditë radhazi, më 15, 16 dhe 17 maj

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, në mbledhjen e mbajtur ka vendosur që nesër në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 40 deputetëve, për të diskutuar lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr. 06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Sipas njoftimit për media, kryesia ka vendosur që të mërkurën, më 15 maj, do të vazhdojë seanca me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Ndërsa sipas njoftimit të kryesisë, të enjten, më 16 maj, në orën 10:00, Kuvendi do të mbajë seancë të rregullt plenare, në të cilën do të shqyrtohet iniciativa e kryeparlamentarit Kadri Veseli, për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.

“Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, dhe më pas formimi i Komisionit shtetëror për lansimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. Pika të tjera të kësaj seance do të jenë: vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish-Tjegullorja, ndërtimi i Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishintës, si dhe caktimi i Ditës së Gjenocidit”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës për media, një seancë e veçantë e Kuvendit do të mbahet më 21 maj, për të përkujtuar masakrën e Dubravës, në 20-vjetorin e saj. /Telegrafi/