Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka shqyrtuar sot kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për seancë të jashtëzakonshme.
Kryesia vendosi që konform kërkesës, Kuvendit të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të martën, më 13 nëntor 2018, në orën 10:00, në të cilën pritet të shqyrtojë projektligjet që lidhen me agjendën evropiane të reformave.
Ndryshe, ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit të Këshillit ministror për integrime evropiane theksoi se po mungon një gatishmëri që çështja e liberalizimit të vizave të hyjë në agjendë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.
“Tani më vendimi duhet të merret në Këshill. Tani po na mungon një gatishmëri me hy në agjendë me arsyetimin se disponimi nuk është më i miri”, kishte thënë Haradinaj.
Sipas tij, qeveritë kanë një hezitim me shti në rend dite, me arsyetimin se vullneti politik, bindja nuk është e qartë në këtë etapë.
“Unë po mendoj se është mirë me u marr rreziku, sido që të votojnë ministrat, si po si jo, të hyjë në rend dite. Kjo është kërkesa e Kosovës. Nuk bën me paragjyku rezultatin, e mos me hy në rend dite. Ndryshe, nuk ishim shku as në Parlament, se kemi mujt edhe aty me paragjyku rezultatin”, ishte shprehur Haradinaj. /Telegrafi/