Telegrafi

Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për NP-të

Në seancë e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët do të bëjnë shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike.

Ky ndryshim vjen pas rekomandimit te Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për Vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për ndërmarrjen “Trepça”.

Pasi komisioni ka diskutuar javën e kaluar lidhur me shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vendimin e Dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme, pranë Kryesisë së Kuvendit ka rekomanduar inicimin e procedurës së ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për këtë çështje.

Duke pasur parasysh limitet kohore dhe rëndësinë e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-87 për ndërmarrjet publike, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëzëri propozoi shmangien nga Rregullorja e Kuvendit dhe shqyrtimin e parë e të dytë nga Kuvendi të këtij projektligji, me procedurë të përshpejtuar, të hënën, më 19 janar 2015, në orën 10:00.

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit më 19 janar 2015, është bazuar në rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. /Telegrafi/