Telegrafi

Kuvendi sjell vendim për shpallje të konkursit për Prokuror publik të Republikës së Maqedonisë

Sot pasdite, në suaza të seancës së 12-të, Kuvendi i Reoublikës së Maqedonisë solli vendim për shpallje të konkursit për emërim të prokurorit të ri publik, përcjell Telegrafi Maqedoni. Ky propozim u mbështet nga shumica parlamentare me 61 vota ‘për’, derisa deputetët e OBRM-PDUKM-së e lëshuan sallën e Kuvendit.

Koordinatori i OBRM-PDUKM, Ilija Dimovski sqaroi se deputetët e kolaicionit “Për Maqedoni më të mirë” nuk duan të jenë të pranishëm në votimin e këtij propozimi sepse, sipas tyre, ky votim është jashtë Rregullores së zgjedhjeve. “Kishim takim të shkurtë me z.Xhaferin në të cilin u morrëm vesh që për shkak të mospasjes së shumicës sv mjaftueshme kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për ditën e hënë”, tha Dimovski, duke shtuar se veprimet e tilla nga ana e kryetarit të Kuvendit paraqet lojë me besimin e tyre.

Për këtë deklaratë të koordinatorit Dimovski reagoi kryetari Xhaferi duke vërtetuar thënien e Ilija Dimovskit, por duke shtuar se para se të zbritet në sallën e Kuvendit ai ka marrë informatë se është krijuar shumica e nevojshme dhe tha se do ta respektojë kërkesën dhe qëndrimin e opozitës që gjatë votimit të mos jenë të pranishëm në sallë.

Propozimin për shpallje të konkursit për emërim të prokurorit publik, Qeveria e dorëzoi te Kuvendi më 17 gusht, pas shkarkimit të Marko Zvërlevskit.

Sipas nenit 41 të Ligjit për prokurori publike, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, pas propozimit të Qeverisë, shpall konkurs për emërim të prokurorit të ri publik të RM në “Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” dhe në, së paku, dy gazeta tjera ditore në vend ku njëra nga ato gazeta duhet të jetë e botuar në gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedone.

Afati për paraqitjen e kandidatëve për prokuror publik është 15 ditë pas shpalljes në “Gazetën zyrtare të RM”, ndërsa Këshilli i prokurorëve publik ka po aq ditë nga dita e pranimit të dokumenteve të japë mendim pozitiv ose negativ për kandidatët e paraqitur në konkurs./Telegrafi/