Kuvendi i Shqipërisë mban sot mocionin me debat me kryeministrin Edi Rama, për çështjen i ish-zyrtarit të arrestuar të FBI-së Charles McGonigal, të kërkuar nga opozita.
Mocioni me debat dhe pyetjet pritet të zgjatjen e seancës deri në 24 orë. Kuvendi fillon në orën 10:00.
Grupi parlamentar i PS-së do të ketë 750 minuta në dispozicion, 350 minuta do jenë për PD, 70 minuta për grupin parlamentar ‘Aleanca për ndryshim’, 80 minuta për ‘Drejtësi dhe Integrim’, 30 minuta për Partinë e Lirisë dhe e njëjta kohë do të jetë në dispozicion edhe për deputetët e PSD.
Ndërsa 9 deputetë e grupimit të Berishës do të kenë 10 minuta kohë për të folur secili.
Ish-kryeministri Sali Berisha me një grup të deputetëve të Rithemelimit pritet të rikthehen këtë të enjte, pasi u ka përfunduar afati i përjashtimit, për shkak të tensioneve në Kuvend gjatë zhvillimit të seancave për mos plotësimin e kërkesës që të realizohej mocioni me debat me kryeministrin Rama dhe prezencën e tij fizike në sallë.
Këtë të enjte do të mungojnë katër deputetë demokratë, pasi u dënuan me përjashtim disa ditë nga seancat plenare. Ata janë Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti dhe Oerd Bylykbashi.
Seancat e fundit plenare janë përfshirë nga tensioni dhe kaosi, pasi opozita bllokoi foltoren për mos plotësimin e kërkesës që të realizohej mocioni me debat me kryeministrin Rama dhe prezencën e tij fizike në sallë. /Telegrafi/