Telegrafi

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër raportit të Dick Martyt për Kosovën

Kuvendi i Shqipërisë, të enjten, me 125 vota pro ka miratuar rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën.

Përmes kësaj rezolute të posaçme, Kuvendi vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte, e për rrjedhojë duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Dhe, po ashtu vetë aktakuza e ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Pas kësaj Shqipëria do të kërkojë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.

Kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg.

Ndryshe, raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020./Telegrafi/