Telegrafi

Kuvendi i Shqipërisë miraton projektbuxhetin për vitin 2023

Projektbuxheti për vitin 2023 u miratua në parim sot në Kuvendin e Shqupërisë me 76 vota pro, 41 kundër dhe asnjë abstenim.

115 deputetë ishin prezentë ne sallën e Kuvendit, ndërsa drita jeshile për projektbuxhetin u dha vetëm nga Partia Socialiste. Pjesë e miratimit ishin edhe tre projektligje të Paketës Fiskale.

Të ardhurat totale buxhetore për vitin 2023 parashikohen të arrijnë 631.7 miliardë lekë ose rreth 29 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) nga 28.2 për qind në vitin 2022. Në rritje parashikohen të jenë edhe shpenzimet buxhetore, në një vlerë prej 687.2 miliardë lekë, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.

Në vitin që vjen 2023 borxhi publik do të ulet në 67.5 për qind. Sipas skenarit bazë deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, ndoshta në rreth 3.3 – 3.5 për qind të PBB-së.

Investimet publike për vitin 2023 parashikohen të jenë rreth 5.5 për qind e PBB-së, ndërkohë që deficiti i përgjithshëm fiskal për vitin që vjen targetohet në 2.6 për qind të PBB-së. Balanca korrente fiskale do te jetë pozitive prej rreth 2.9 për qind e PBB-së.

Për vitin 2023, bazuar në skenarin bazë parashikohet rritje reale ekonomike prej 2.6 për qind. Rritja do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në masë marzhinale pritet të kontribuojë pozitivisht edhe kërkesa e huaj neto e mbështetur nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë parashikimi i FMN për vitin tjetër është 2.2 për qind. /Telegrafi/