Site icon Telegrafi

Kuvendi shpenzon mijëra euro për servisimin e automjeteve

Kuvendi i Kosovës do të shpenzojë mijëra euro për servisimin dhe mirëmbajtjen e disa automjeteve zyrtare. Institucioni më i lartë ligjvënës, ka planifikuar të shpenzojë 69 mijë euro për servisimin e vetëm disa nga veturat e Kuvendit.

Kuvendi i Kosovë në tenderin e ndarë në tri loto, ka përzgjedhur edhe operatorët ekonomik të cilët do të mirëmbajnë këto automjete, raporton ORAinfo.

Sipas njoftimit të Komisionit të Prokurimit Publik, në loton e dytë është paraparë të bëhet servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të llojit Mitsubishi. Për këtë loto, Kuvendi do të shpenzojë 18 mijë euro dhe kompania që do t’i kryejë këto shërbime është përzgjedhur të jetë “Allmakes Global Services”.

Ndërkaq, në loton e tretë është paraparë të bëhet servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të llojit Toyota.

Për këtë loto, Kuvendi do të shpenzojë 42 mijë euro dhe kompania që do t’i kryejë këto shërbime është përzgjedhur të jetë “Allmakes Global Services”. Në loton e fundit, atë të katërtën, është paraparë të bëhet servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të llojit Landrover.

Për këtë loto është paraparë të shpenzohen 9 mijë euro dhe kompania që do t’i kryejë këto shërbime është përzgjedhur të jetë L T G Kosova. Në total Kuvendi ka planifikuar të shpenzojë hiq më pak se 69 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version