Kuvendi pas një diskutimi gjithëditor pasditen e sotme, me 58 vota “pro” dhe 14 “kundër” dhe pa abstenime, konfirmoi rendin e ditës për seancën e 14-të.
Me 62 vota “për” dhe 16 “kundër” vonë pasdite Kuvendi votoi propozimin e deputetit Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM që në rendin e ditës të seancës së 14-të të shtohet edhe Projekt-ligji për huamarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut prej 500 milionë eurove te Banka Hungareze të Eksport-Importit.
Sot paradite me 71 vota “për” deputetët e konfirmuan nevojën që pas procedurës së shkurtuar të miratohet Projekt-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, me të cilin, siç tha Dafina Stojanovska nga OBRM-PDUKM , do të realizohet premtimi parazgjedhor i partisë në pushtet për rritje lineare të pensioneve.
Kuvendi me 69 vota “pro”, 17 “kundër” dhe asnjë abstenim, pranoi që me procedurë të shkurtuar në seancën e 14-të të sjellë Projekt-ligjin për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.