Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi tha për Alsat M se nuk e ka parë të arsyeshme të kërkojë nga policia shtimin e forcave brenda dhe jashtë shtëpisë ligjvënëse gjatë votimit për heqjen e imunitetit, me arsyetimin se seanca ka rrjedhë sipas rregullores së Kuvendit. Edhe nga Byroja për Siguri Publike thanë se nuk kishte nevojë për përgatitje të forcave të rendit për të mbrojtur Kuvendin dhe deputetët, pasi që nuk ka pasur paralajmërime për protesta apo kërcënim për prishje të rendit.
“Nuk kam bërë kërkesë për shtim të forcave policore sepse nuk kam vlerësuar se ka nevojë për atë. Për këtë arsye edhe vet fakti i ecurisë së punës së parlamentit gjatë ditës së sotme ka treguar që nuk ka nevojë për një çështje të tillë sepse edhe shërbimet dhe edhe siguria e brendshme por edhe deputetët sillen konform përcaktimeve të rregullores së punës së parlamentit dhe sigurisë së brendshme të Parlamentit dhe konstatoj që nuk ka nevojë që kërkesa e tillë të drejtohet në MPB”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit.