Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, sot pasdite e vazhdon debatin për Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Deputetët e opozitës edhe sot e shprehën qëndrimin e tyre duke e vlerësuar këtë propozim ligj si jokushtetues, duke thënë se bëhet thyerje e procedurave, keqpërdorim i simbolit evropian dhe sipas tyre kjo zgjidhje ligjore nuk do ta rregullojë çështjen e gjuhëve, por vetëm do ta rrisë zbrazëtirën , duke diskriminuar kombet tjera në Maqedoni.
Ndërsa nga ana tjetër, qëndrim i deputetëve të partive qeveritare është se ky ligj do të përmirësojë bashkëjetesën, se është ligj për avancim të të drejtave, se nuk është jokushtetues dhe se nuk e vë në rrezik karakterin unitar të shtetit.
Deputeti i OBRM-PDUKM, Antonio Milloshoski tha se ky ligj nuk është nevojë e qytetarit të rëndomtë shqiptar, por është nevojë e funksionarëve shqiptar të BDI-së, për të mbuluar paaftësinë dhe korrupsionin e tyre dhe për të përfituar politikisht.
Në kërkesë të deputetëve të OBRM-PDUKM, kryetari i Kuvendit dha pauzë dhe informoi se Kuvendi do të vazhdojë me punë në ora 20:30.
Kryetari i Kuvendit rikujtoi se në takimin koordinues të mbajtur më 8 shtator, ata janë dakorduar për një dinamikë të caktuar të punës në Kuvend dhe akuzoi opozitën se ata e pengojnë dhe ngadalësojnë punën e Kuvendit./Telegrafi/