Site icon Telegrafi

Kuvendi i Prizrenit me seancë solemne nderon Ditën e Çlirimit

Për nder të 25 vjetorit të çlirimit të Prizrenit, Kuvendi i Komunës ka mbajtur të mërkurën seancë solemne, ku anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës lokal kanë përkujtuar luftën e UÇK-së, sakrificën e dëshmorëve e martirëve, por edhe mbështetjen nga aletatët.

Në hapje të seancës, kryesuesja Antigona Bytyqi ka theksuar se 12 qershori i vitit 1999 është ditë historike për Komunën e Prizrenit, meqë kjo datë bart ndjenja të krenarisë e dhimbjes, pasi lufta e fundit ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesë e qytetarëve.

“Sot të gjithë festojmë duke kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, sepse 25 vite më parë në këtë ditë të shënuar iu dha fundi një epoke të gjatë të luftës për liri e pavarësi”, ka thënë Bytyqi.

Dafina Alishani nga Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin se kjo datë gjithmonë sjellë në kujtesë sakrificën, guximin dhe heroizmin e atyre që luftuan  për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. “Kjo ditë është gjithashtu një thirrje për reflektim për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më prosperuese”, ka deklaruar Alishani.

Drita Qenaj nga PDK ka vlerësuar se 25 vite më parë për Kosovën ka nisur një etapë e re e historisë. “12 qershori 1999 është ditë historike sepse pas shumë vuajtjesh erdhi fitorja e UÇK-së”, ka thënë ajo.

Naxhije Memaj e LDK-së ka pohuar se kjo datë i ka dhënë shpresë qytetarëve, dhe se qindra vite sakrificë janë kurorëzuar me lirinë dhe pastaj pavarësinë e Kosovës.

Bajram Kastrati i AAK-së ka theksuar se në këtë ditë duhet nderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë. “Obligohemi ti nderojmë të gjithë ata që së bashku me luftë, me paqe, me qëndrim të drejtë qëndruan heroikisht deri në realizimin e ëndrrës sonë shekullore, lirinë e shumëpritur”, është shprehur Kastrati.

Shukri Quni nga Nisma Socialdemokrate ka bërë të ditur se me 12 qershor kujtohet hyrja e UÇK-së në Prizren, ku në këtë datë të vitit 1999 “bijtë dhe bijat më të mirë marshuan nga drejtime të ndryshme për të hyrë në Prizren”. Sipas tij teksa kujtohet kjo datë, nevojitet edhe angazhimi për unitet. “Kosova përsëri gjendet në udhëkryqet e historisë, prandaj na duhet një unitet, një unitet i përbashkët për ti realizuar synimet tona”, ka thënë Quni. /Telegrafi/

Exit mobile version