Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme nuk ka miratuar rezolutën për të pagjeturit.
Propozim-rezoluta nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, ka marrë vetëm 31 vota për.
Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci bëri të ditur se kjo pikë do të hidhet në votim në një seancë tjetër.
Në mungesë të kuorumit nuk u miratuan në parim Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, ai për Këshillim Ekonomiko-Social, Inspektoratin e Punës.
Krahas këtyre nuk pati vota as për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për zgjedhje.
Deputetët në mbledhjen e sotme i vazhduan edhe për tre muaj mandatin Komisionit Hetimor për Hidrocentrale mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë.
Kujtojmë se javën e kaluar seanca ku u diskutua për të pagjeturit u përcjell me tensione të larta dhe përplasje mes deputetëve të LVV-së dhe LDK-së.
Si rrjedhojë seanca ishte ndërprerë. /Telegrafi/