Kuvendi i Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit nuk ka arritur të shkarkoj anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci tha se kjo pikë zhvendoset në një seancë tjetër.
Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare seanca e sotme përfundoj dhe u vendos që kjo të vazhdojë të mërkurën.
“Në pajtim me shefat e grupeve parlamentare seanca do të vazhdojë të mërkurën në ora 13:00”, tha Bogujevci.
Komisioni për Bujqësi kishte rekomanduar shkarkimin e këtij bordi.
Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Fitore Pacolli tha se përbërja e këtij bordi është jo profesionale, derisa shtoi se Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave nuk ka punuar në modernizimin e transportit hekurudhor.
Gjatë seancës pati përplasje të shumta në mes pozitës e opozitës për këtë çështje. /Telegrafi/