Kuvendi i Republikës së Maqedonisë duhet të mblidhet nesër për të mbajtur seancën konstituive të Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime. Në këtë seancë, pritet që deputeti nga radhët e OBRM-PDUKM-së Ilija Dimovski të zgjidhet kryetar i komisionit, në bazë të marrëveshjes paraprake, njofton Shenja.
Ndërkohë nuk dihet se kur do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e lënë përgjysmë muaj më parë. Partitë ditë më parë bënë të ditur se LSDM dhe BDI kanë rënë dakord që të propozojnë deputetin e BDI-së, Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit të ri. Xhaferi ishte shef i grupit parlamentar të BDI-së në mandatin e fundit, ndërsa më parë edhe ministër i mbrojtjes në Qeverinë e udhëhequr nga Gruevski.
Lëvizja Besa deklaroi se nuk do të votojë për Talat Xhaferin si kryetar Kuvendi dhe se do të propozojnë kandidatin e tyre për këtë post. Aleanca për Shqiptarët, nga ana tjetër, deklaruan se nuk do të nxjerrin kandidat për kryeparlamentar, dhe pritet që të votojnë propozimin e përbashkët të LSDM-së dhe BDI-së, Talat Xhaferrin./Telegrafi/