Site icon Telegrafi

Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare, opozita paralajmëron bllokim të punimeve

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot për të diskutuar mbi disa projektligje të rëndësishme, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar moslejimin e kthimit në normalitet të seancave plenare.

Sipas rendit të ditës, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri””.

Po ashtu në seancën e sotme plenare pritet edhe miratimi i dy projektvendimeve: Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqesuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë, si dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqesuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi dje se grupi parlamentar i PD-së ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme plenare.

Vendimi i opozitës vjen pas burgosjes së deputetit demokrat Ervin Salianji.

Në vijim të këtij qëndrimi, opozita bllokoi të hënën punimet e Kuvendit, duke demonstruar akte dhune në sallën e seancave plenare.

Exit mobile version