Site icon Telegrafi

Kuvendi në gjumë

Legjislatura e pestë e Kuvendit të Kosovës ka shënuar pikën më të ulët sa i përket mbajtjes së seancave plenare.

Që prej fillimit të këtij viti janë mbajtur vetëm shtatë seanca, përfshirë dy të tilla për zgjedhjen dhe betimin e presidentit. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, i bie 14 seanca më pak, shkruan sot Koha Ditore.

Derisa më herët ishte bllokada e opozitës pengesë për thirrjen e seancave, vëzhgues të punës së legjislativit tani kanë thënë se janë zhvillime tjera që kanë çuar Kuvendin në pauzë.

Rehatimi i Hashim Thaçit në Presidencë dhe përçarja e partive opozitare po shihen si arsye kryesore për mosthirrjen e seancave.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës- KDI ka thënë se pas inaugurimit të Hashim Thaçit në krye të shtetit është vërejtur një relaksim më i madh sidomos nga PDK-ja për të mos u nxituar me thirrje të seancave.

Megjithëse të përçara, partitë opozitare vazhdojnë ta kontestojnë legjitimitetin e legjislaturës së pestë, por refuzojnë të heqin dorë nga pagat e Kuvendit, përmes braktisjes së mandateve.

Exit mobile version