Projektligji për investimet strategjike edhe pse u konsiderua mjaft i rëndësishëm për investitorët e huaja, anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, patën vërejtje në amendamentin e këtij projektligji për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të pronës së paluajtshme publike dhe shoqërore tek investitori i interesuar.
Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa tha se edhe pse ky projektligji nuk është ideal, është mjaft i rëndësishëm për vendin, dhe për këtë çështja e shpronësimi duhet të shkohet në kuvend që investitorët të kenë siguri më të madhe.
Me shtatë vota për dhe një kundër, komisioni votoi amendamentin për shpronësim të pronës së paluajtshme shoqërore, vetëm pasi Kuvendi të merr vendim me shumicë të thjesht me 31 vota.
Kundër këtij amendamenti për votim me shumicë të thjesht ishte deputeti Fatmir Rexhepi, i cili kërkoi që Kuvendi për shpronësim të pronave për investitorët të bëhet me 61 vota ose me shumicë të kualifikuar. Sipas tij, çdo votim tjetër me shumicë të thjesht është jolegjitim.
Kurse, deputeti Besim Beqaj edhe pse votoi për, tha se ky projektligj nuk është ai i cili është menduar më herët. Ai tha ka divergjenca te çështja e bartjes së pronave publike dhe shoqërore.
Ky debat u zhvillua gjatë diskutimeve për harmonizimin e qëndrimeve me Komisionin për Buxhet dhe Financa, lidhur me projektligjin për investime strategjike. /Telegrafi/