Telegrafi

Kuvendi miraton rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar propozim rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.

Me 79 vota për, asnjë votë kundër është miratuar kjo rezolutë.

Lexo po ashtu Veseli fton të gjithë të bashkohen për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, shpalos planin e tij

Po ashtu Kuvendi me 77 vota për ka miratuar rezolutën për Këndin e Kurajës.

Për hartimin e kësaj rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të rezolutës.

Në rezolutë, pos tjerash, përmendet të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë.

Po ashtu, aty përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore.

Lexo po ashtu Flora Brovina publikon dëshmi se si ushtarët serbë kanë dhunuar një grua në Kosovë (Foto/Video)

Ndër të tjera në seancën e Kuvendit u paraqitën edhe dëshmi përcjellë me fotografi, të grave të dhunuara dhe fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndryshe iniciativa për t’u dënuar gjenocidi serb, është propozuar nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i cili ka thënë se duhet krijuar një Tribunal që dënon gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Iniciativën e Veselit e kanë mbështetur edhe deputetët ndonëse në fjalimet e tyre thanë se është e vështirë që të krijohet ky Tribunal, pa mbështetjen ndërkombëtare./Telegrafi/