Site icon Telegrafi

Kuvendi miraton Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

Kuvendi i Kosovës me 68 vota pro, ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Të gjitha partitë politike pjesë e Kuvendit të Kosovës i ka dhënë mbështetje këtij projektligji.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se si parti do ta mbështesin këtë projektligj, por që ka pasur një kërkesë që të gjithë të jenë të matur sa i përket deklaratave për përfshirjen e FSK-së në operacione të ndryshme ndërkombëtare.

“Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave për përfshije të Forcës në operacione të ndryshme ndërkombëtare bazuar në kapacitetet operacionale që kemi. Mendoj që ky ligj meriton të kalohet për shkakun se e intensifikon rolin e ushtrisë në politikën e jashtme të vendit, një rol që do të bëjë që Kosova të rreshtohet krahë shteteve që e mbështetin paqen në botë, por asnjëherë duke dalë përtej kapaciteteve tona operacionale që kemi për të mbështetur këtë paqe”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentari AAK-së, Besnik Tahiri, referuar një deklarate të kryeministrit të Kosovës rreth dërgimit të FSK-së në rast të shpërthimit të konflikti në Ukrainë, tha se duhet të kenë kujdes me deklarata publike.

“Ai e ka thënë saktë, ka thënë ‘çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm’, mirëpo ajo që ne si Grup Parlamentar dëshirojmë ta ngremë në këtë temë është se para se të shohim se çka parasheh NATO për FSK-në ne duhet ta bëjmë ushtrinë tonë NATO, t’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe për hyrje të FSK-së në NATO.

Sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO, Mehaj tha se janë duke i përmbushur të gjitha kapacitetet.

“Sa i përket pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO, se kjo është një pikë që shumë shtete të tjera para neve i kanë kaluar këto faza dhe kanë marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Diplomacia ushtarake ka ndikim shumë të madh jo vetëm në ngritjen e Forcës, ngritjen e kapaciteteve, po edhe ndërlidhjen e partneritetit me shtetet e NATO-s dhe shtetet partnere, se këtu lidhet partneriteti ushtarak përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare. Sa i përket rrugëtimit drejtë NATO-s ne jemi në proces e sipër, të gjitha kapacitetet jemi duke i përmbushur, e kemi një plan të tranzicionit dhe atë jemi duke e përmbushur në bashkëpunim me partnerët tanë, por këtu edhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe në ndikimin e Kosovës ne diplomaci ushtarake po edhe në pjesëmarrjen e paqes jashtë vendit, se më nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë po edhe eksportojmë siguri jashtë vendi”, tha ai.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim edhe Projektligjin për pijet e forta alkoolike, ku pro këtij projektligji ishin 60 vota, derisa ishin katër abstenime.

Ministri i Bujqësisë Faton Peci tha se ky projektligj rregullon kornizën ligjore përmes parimeve të përgjithshme që kanë të bëjnë me përshkrimin, prezantimin dhe etiketimin e pijeve të forta alkoolike, si dhe mbrojtjen e treguesve gjeografik të pijeve të forta alkoolike.

Po ashtu, me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar në parim edhe Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Në arsyetimin e tij, ministri Faton Peci, tha se ky projektligj ka për synim zbatimin e objektivave, të cilat përmbajnë qasje në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe më efikas të legjislacionit në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Ky projektligj i përcakton politikat kombëtare për bujqësi dhe zhvillim rural, planifikimin dhe masat e politikave bujqësore, masat për bujqësi të integruar, prodhim organik, standardet e cilësisë si dhe ato të marketingut, bazën e të dhënave, regjistrat, monitorimin dhe raportimin në bujqësi. Mbështetjen institucionale për bujqësi, kontrollin administrativ, masat e menaxhimit të rrezikut në bujqësi, restaurimin e potencialit të prodhimit bujqësor, partneritetin social dhe ekonomik në fushën e bujqësisë, si dhe inspektimin në terren dhe zbatimin e masave”, tha ai.

Ndërkaq, në mungesë të ministrit është shtyrë për seancën e ardhshme, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturinat.

Miratimin e deputetëve e ka marrë edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022, ku taksa investive do të jetë 0.32 për qind dhe taksa operacionale prej 0.057 për qind. /Kp/

Exit mobile version