Më 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Të pranishëm gjatë votimit të këtij projektligji ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar që të hiqen nga rendi i ditës i seancës së sotme [11.07.2024], Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Projektligji për Zyrtarët Publikë.
Megjithatë ky mocion përmbajtësor nuk kaloi pas kundërshtimit të partisë në pushtet- LVV.
Në parim ky projektligj është votuar në mars të këtij viti.
Qeveria e Kosovës më 12.07.2023 pati marrë vendim për plotësim-ndryshim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ligji për KPK-në ishte miratuar në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar. /Telegrafi/