Site icon Telegrafi

Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2025

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim.

Më 11 nëntor, deputetët e kishin miratuar në lexim të parë këtë projektligj.

Vlera e projektbuxhetit për vitin 2025 është 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024, që kishte vlerën 3.3 miliardë euro.

Ndryshe në seancën e sotëm ky projektligj u kundërshtua nga ana e opozitës duke kërkuar ndryshime në disa fusha.

Gjatë seancës plenare të mbajtur të enjten, opozita e ka akuzuar pushtetin për shkelje në buxhetin për vitin 2025, madje edhe kanë kërkuar që të mos vihet fare në votim.

Para votimit, tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë lëshuar sallën.

Buxheti për vitin 2025 është paraparë të jetë 3.6 miliardë euro, e për investime kapitale janë ndarë 930 milionë euro apo 71 milionë euro më shumë sesa këtë vit. /Telegrafi/

Exit mobile version