Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar vendimin për rialokim të Buxhetit të Komunës për vitin 2015 dhe ka shqyrtuar informatën e Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka shqyrtuar propozim vendimin për rialokim të Buxhetit të Komunës për vitin 2015 dhe ka shqyrtuar informatën Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në mbledhjen e kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, është debatuar për dokumentin e prezantuar në Kuvend, i cili përfshinte rialokimin e Buxhetit të Komunës për vitin 2015 dhe ridestinimin e mjeteve nga granti qeveritar dhe të hyrat vetanake.
Shefi i grupit të këshilltarëve nga radhët e LDK-së, Fidan Rekaliu, e ka përkrahur rialokimin dhe ridestinimin e mjeteve sipas dokumentit të paraqitur.
Ndërsa, Flakron Gashi në emër të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Haki Rudari shef i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lutfi Rexhepi i AAK-së, kanë bërë vërejtje për ridestinimin e mjeteve për disa projekte dhe kode të caktuara.
Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash ka miratuar vendimin për rialokim të Buxhetit të Komunës për vitin 2015.
Lidhur me ridestinimin e mjeteve në projekte dhe kode sqarime kanë dhënë drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi dhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Hyseni.
Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi me shumicë votash ka miratuar vendimin për rialokim dhe transferim të projekteve për vitin 2014.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, ka paraqitur para kuuvendarëve një informatë lidhur me projektet e realizuara, të mbjellat dhe të korrat si dhe subvencionimet e bëra në këtë sektor gjatë këtij viti.
Shefi i grupit të këshilltarëve nga radhët e LDK-së, Fidan Rekaliu, e ka vlerësuar raportin e prezantuar. Ndërsa shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica ka konsideruar se raporti është i mangët dhe ka kërkuar një raport më të detajuar. Vërejtje për raportin kanë bërë edhe Haki Rudari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lutfi Rexhepi nga AAK-ja. /Telegrafi/