Telegrafi

Kuvendi miratoi Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe BB

Ahmet Shala, ministër i Financave tha se projektligji në fjalë do t’i mundësojë Kosovës stabilitet fiskal dhe qëndrueshmëri ekonomike. Kuvendi pasdite pas shqyrtimit të dytë pritet ta miratojë në tërësi këtë projektligj.

Me procedurë të përshpejtuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan në parim projektligjit për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Organizatat e Grupit të Bankës Botërore.

Në seancën në të cilën mori pjesë edhe shefi ekzekutiv i FMN-së, deputetët me 79 vota për e kaluan në shqyrtim të dytë projektligjin në fjalë.

Ahmet Shala, ministër i Financave tha se projektligji në fjalë do t’i mundësojë Kosovës stabilitet fiskal dhe qëndrueshmëri ekonomike.

Sipas Shalës me qëllim që Kosova të arrijë në qershor të jetë edhe pjesë e Bankës Botërore, ligji duhet të miratohet me procedurë të përshpejtuar.

Të gjitha grupet parlamentare u shprehën në favor të miratimit të këtij projektligji ndërkaq komisionet e ngarkuara për këtë ligj janë mbledhur për të diskutuar që pasdite në seancë tjetër të miratohet ligji në tërësi.

FMN-ja i ka bërë ftesë zyrtare Kosovës për anëtarësim, ku 138 vende e kanë përkrahur Kosovën për të qenë anëtare e FMN-së. Qeveria ka kërkuar nga këto shtete që ta mbështesin Kosovën edhe për anëtarësim në BB. /rtk/