Telegrafi

Kuvendi miratoi Projekt-strategjinë kundër korrupsionit

Pas një debate të gjatë me akuza dhe kundërakuza ndërmjet pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës e miratoi strategjinë kundër korrupsionit. Në paraqitjen e strategjisë para deputetëve zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha se luftimi i korrupsionit është në agjendën e prioriteteve të qeverisë. Mirëpo sipas tij për ta luftuar atë nevojitet vullneti politik.

Projekt-strategjia u kundërshtua nga grupi parlamentarë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ardian Gjini tha se si deputet nuk mund ta votojë një dokument që thotë se Kuvendi i Kosovës është institucioni më i korruptuar.

Ndaj kësaj deklarate reagoi kryetari i komisionit për legjislacion, deputeti nga radhët e PDK-së, Bahri Hyseni.

Edhe Ramadan Avdiu në emër të grupit parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës i dha përkrahje projekt-strategjisë.

Në seancën e sotme deputetët miratuan edhe raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkaq debatuan edhe për gjendjen tregtare dhe raportet tregtare të Kosovës me shtetet tjera.

Pas miratimit të Projekt-strategjisë kundër korrupsionit dhe miratimit të raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe rekomandimet e komisionit ad hoc për emërimin e bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Kandidatë janë: Ali Podrimja Shemsi Syla, Avni Abazi dhe Shukrie Gashi, Aleksandar Janiçeviq, Arif Bozaxhi, Lindita Tahiri, Naime Beqiraj dhe Rrahman Paçarizi.

Çështja e anëtarëve të bordit të RTK është shtyrë disa herë për shkak se kuvendi disa herë e pat kthyer listën e kandidatëve të dorëzuar nga ana e KPM. /rtklive/